Nga: Pallab Ghosh / BBC
Kjo pikturë është shembulli më i hershëm i njohur i artit përfaqësues
Nga shkencëtarë australianë dhe indonezianë, në ishullin Sulaezi të Indonezisë është zbuluar shembulli më i vjetër i artit figurativ në shpella.
Piktura e një derri të egër dhe e tre figurave të ngjashme me njeriun, është të paktën 51 mijë 200 vjet e vjetër, mbi pesë mijë vjet më e vjetër se arti i mëparshëm më i vjetër shpellor.
Zbulimi e shtyn prapa kohën kur njerëzit modernë për herë të parë shfaqën aftësinë për mendim krijues.
Profesori Maxime Aubert nga Universiteti Grifit në Australi, tha se zbulimi do të ndryshojë idetë rreth evolucionit njerëzor.
“Piktura tregon një histori komplekse. Është dëshmia më e vjetër që kemi për të rrëfyerit. Tregon se njerëzit në atë kohë kishin aftësinë për të menduar me terma abstraktë”, tha ai.
Piktura shfaq një derr që qëndron në këmbë, me gojën pjesërisht të hapur dhe të paktën tre figura të ngjashme me njeriun.
Figura më e madhe e njeriut i ka të dy krahët e zgjatur dhe duket se mban një thupër. E dyta është menjëherë përballë derrit me kokën pranë feçkës. Gjithashtu duket se mban një shkop, njëri skaj i të cilit mund të jetë në kontakt me fytin e derrit. Figura e fundit e ngjashme me njeriun duket se është me kokën poshtë, me këmbët e drejtuara lart. Ka një dorë që shtrihet drejt dhe që duket se prek kokën e derrit.
Ekipi i shkencëtarëve u drejtua nga Adhi Agus Oktaviana, specialist indonezian i artit shkëmbor nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Inovacionit (BRIN) në Xhakartë. Ai thotë se tregimi narrativ ishte pjesë thelbësore e kulturës së hershme njerëzore në Indonezi.
“Njerëzit ndoshta kanë treguar histori për më shumë se 51 mijë e 200 vjet, por meqë fjalët nuk fosilizohen, mund të vazhdojmë vetëm me anë të përafrimeve indirekte, si përshkrimet e skenave në art – dhe arti Sulauesi tani është dëshmia më e vjetër e tillë që njihet në arkeologji”, tha ai.
Provat e para të vizatimit u gjetën në shkëmbinj në shpellat Blombos në Afrikën jugore dhe datojnë 75-100 mijë vjet më parë. Përbëhen nga modelet gjeometrike.
Piktura e re, në shpellën gëlqerore të Leang Karampuangut në rajonin Maros-Pangkep të Sulauezit të Jugut, shfaq artin përfaqësues – përfaqësimin abstrakt të botës rreth personit ose njerëzve që atë e kanë pikturuar.
Prandaj, përfaqëson evolucionin në proceset e mendimit në specien tonë që ia dhanë fillin artit dhe shkencës.
Dr. Henry Gee, redaktor në revistën Nature ku u botuan detajet, pyet se çfarë e nxiti këtë zgjim të mendjes njerëzore.
“Duket se diçka se ka ndodhur rreth 50 mijë vjet më parë, menjëherë pasi vdiqën të gjitha speciet e tjera njerëzore – si Neandertalët dhe të ashtuquajturit Hobitët. Është romantike të mendosh se në një moment, në atë kohë, diçka ka ndodhur në trurin e njeriut, por mendoj se ka më shumë gjasa që të ketë shembuj edhe më të hershëm të artit përfaqësues”.
Profesori Chris Stringer i Muzeut të Historisë Natyrore në Londër, beson se mund të ketë shembuj të artit të lashtë përfaqësues në Afrikë, ku njerëzit modernë fillimisht evoluuan, porse ende nuk është gjetur asgjë e tillë.
“Kjo gjetje përforcon idenë se arti përfaqësues u prodhua për herë të parë në Afrikë, para 50 mijë vjetëve dhe se koncepti u përhap me përhapjen e specieve tona. Nëse kjo është e vërtetë, ende nuk janë shfaqur provat e reja mbështetëse nga zonat e tjera, përfshirë Afrikën. Natyrisht, kjo datë më e vjetër është njëra pamje e tablosë – shpresojmë se do të ketë data të reja në më shumë lokacione për të konfirmuar këtë gjetje kruciale”.
Kjo u bë e mundur duke përdorur një metodë të re që përfshin prerjen e sasive të vogla të artit përmes laserit. Kjo ua mundëson studiuesve të studiojnë pjesë të ndryshme dhe detaje të veprës së artit, e pastaj të dalin me datë më të saktë.
Teksa metoda e re po përdoret më gjerësisht, në disa vende me art shpellor, në të gjithë botën, mund të caktohen datat e tjera, ndoshta duke e shtyrë më tej shfaqjen e artit përfaqësues.
Deri 10 vjet më parë, e vetmja dëshmi e artit të lashtë të shpellave gjendej në vendet e tilla si Spanja dhe Franca Jugore. Kjo bëri që disa të besojnë se në Evropë nisi shpërthimi krijues që shpiu në artin dhe në shkencën që njohim sot.
Por, zbulimi i skicave me duar të ngjyrosura të njeriut në Suluaesin e Jugut më 2014, e shkatërroi këtë pikëpamje.
Më pas, në nëntor 2018, në shpellën e Lubang Xherixhi Saleh në ishullin indonezian të Borneos, shkencëtarët gjetën veprën më të vjetër të artit të asaj kohe – të një kafshe të panjohur – që mendohet të ketë më shumë se 40 vjet.
Profesori Adam Brumm nga Universiteti Grifit tha se zbulimet e fundit të artit të shpellave indoneziane, hedhin dritë të re mbi rolin e rëndësishëm të të rrëfyerit në historinë e artit.
“Vlen të përmendet se arti më i vjetër i shpellave që kemi gjetur deri tash në Sulauesi, përbëhet nga skenat e dallueshme: domethënë, piktura që përshkruajnë njerëzit dhe kafshët duke ndërvepruar në mënyrën përmes së cilës mund të nxjerrim përfundimin se artisti synonte të komunikojë një rrëfim të një lloji – një histori”, tha ai.