Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot fermerin Shukri Sallahu në Zllatar të Komunës së Ferizajt, i cili ka të mbjellë një fushë me lule dielli.
Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, deputetët e Kuvendit, Valon Ramadani, Shqipe Metaj Isufi, Adelina Grainca dhe Enver Haliti.
“Ndonëse rezultati përfundimtar i fushës së mbjellë me luledielli do të shihet në fund të muajit gusht, kryeministri Kurti shprehu përgëzime për punën e deritanishme të fermerit Sallahu i cili këtë vit mbolli 53 hektarë, derisa vitin e kaluar pati mbjellë 30 hektarë me luledielli”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai shtoi se Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka subvencionuar vitin e kaluar fermerët që kanë mbjellë gjithsej 280 hektarë me luledielli, ndërkaq sivjet kanë pranuar aplikime për subvencionim për 1100 hektarë me luledielli.
“Ushqimi ynë në tryezat tona duhet të jetë nga toka jonë në të gjitha kulturat bujqësore që mund të bëhen në Kosovën tonë të dashur”, përfundoi Kryeministri Kurti.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, fermeri Shukri Sallahu ka thënë se me lehtësimin e procedurave për aplikim dhe rritjen e subvencioneve për fermerët nga Qeveria, është rritur edhe vullneti për punë.
“Këtë vit në mesin e shumë kulturave tjera bujqësore, fermerët aplikues përfituan subvencione prej 454 euro për një hektar të mbjellë me luledielli nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet tutje në njoftim.